Fshati Krenar

Reportazh nga Buroja, vendlindja e kryeministrit të Qeverisë së re të Kosovës z. Hashim Thaçi 



BUROJA - FSHATI KRENAR

Buroja dhe Drenica ndihen krenare që nga gjiri i tyre doli njeriu që nesër do të merr udhëheqjen e vendit. Edhe në familjen e madhe të Haxhi Thaçit shihet atmosferë triumfuese. Prindërit dhe vëllezërit e liderit të PDK-së, kryeministrit të Qeverisë së re të Kosovës, besojnë shumë në sukseset e djalit të tyre. Këtë e besojnë edhe bashkëvendësit e tij.

Burojë, Skënderaj, 19 nëntor-

Rruga e përbaltur dhe me gropa të çon te shtëpia e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, liderit të PDK-së Hashim Thaçit. Dyert e kullës së Thacëve në Burojë të Skënderajt qëndrojnë hap e krah. Janë të shumtë ata që ai mësyjnë kësaj kulle, për të dërguar urime për fitoren në zgjedhjet e së shtunës. Edhe tek familjarët e liderit të PDK-së, shihet gëzimi që ndiejnë ata pas 17 nëntorit. Por ata që janë më së shumti krenarë janë prindërit e Hashim Thaçit, Haxhiu dhe Hyra. E kanë lindur, e kanë shkolluar me shumë vështirësi dhe tash gëzohen se nuk iu ka shkuar mundi huq. Ndonëse të thjeshtë dhe modest, ata nuk hezitojnë të shprehin kënaqësinë që djali i tyre ka triumfuar në këto zgjedhje. Në kullën Haxhi Thaçit(70) është prezent fryma tradicionale e familjeve shqiptarëve. Cigare dhe kafe për mysafirët. Ndërkaq, përveç kafes dhe duhanit, baci Haxhi siç e thërrasin edhe djemtë e tij, nuk harron të qerasë edhe me arra.

Fitorja e PDK-së që e kryeson djali i tij, sipas Haxhiut nuk është fitore vetëm e PDK-së. “Është meritë e të gjithëve. Kësaj here ka fituar Kosova”, thotë Haxhiu fjalë pak. Për dallim nga babai, nëna e kryetarit të PDK-së është më e hareshme. Ajo nuk mund të përmbahet nga gëzimi që ka për djalin e saj, i cili do të jetë në krye të vendit. madje ajo tregon se që nga e shtuna është shumë mirë, pasi që shpeshherë sëmuret për shkak të moshës. “Qitash jam shumë mirë”, thotë ajo me kënaqësi derisa shpeshherë kthen kryet kah fotografia e madhe e Hashim Thaçit së bashku me komandantin legjendar Adem Jasharin, e varur në mur të odës.

Prindërit e Thaçit asnjëherë nuk kanë pasur dyshim se djali i tyre që ka kryer fakultetin do të arrijë suksese. “Ai që mëson e shkollohet prej tij ka diçka”, thotë Haxhiu. Ndërkaq nëna Hyra mezi pret që të vijë vikendi për ta pasur afër djalin.

Përveç liderit të PDK-së ata kanë edhe pesë djem tjerë, katër nga të cilët gjenden me punë në Austri. Por Haxhiu nga të gjashtët veçon Hashimin. “Se kam pse tash është në pozitë dhe e kryeson një parti, por prej të gjithëve ka qenë më i urti më i qeti dhe më i drejti”. “Problemet” që ai ia ka sjellë babait dhe familjes janë ato për çështjen kombëtare. Por këto “probleme” sipas Haxhi Thaçit kanë qenë të drejta. “Policia serbe shpeshherë më ka maltretuar mua dhe familjen por asnjëherë nuk më ka shkuar mendja t’i them djalit të largohet prej këtyre seneve”. këtë sipas tij e ka bërë për shkak se siç thotë “Ka qenë në rrugë të drejtë. Me serbët nuk ka pas dialog veç nëpërmes grykës së pushkës”. Por si duket për Haxhiun 17 nëntori është fillimi i një të ardhme më të mirë. Ai nuk dëshiron të flasë keq për asnjë lider të asnjë subjekti politik. Por e thotë një fjali që nënkupton se deri më tani nuk ka qenë i kënaqur me arritjet në vend pas luftës. “Ishalla po dalim në dritë, se boll kemi nejt në terr”.

Nuk është vetëm familja e Thaçit e gëzuar për fitoren e PDK-së. Gëzim, kënaqësi dhe krenari përnjëherësh ndjejnë edhe bashkëfshatarët e tij. Ata shpresojnë se me marrjen e udhëheqjes nga kryetari i PDK-së, do të ketë jetë më të mirë për ta. Buroja është një fshat me rreth tre mijë banorë, pa ndonjë infrastrukturë të mirëfilltë, pa rrugë, e madje as me shkollë fillore. Fëmijët e këtij fshati iu duhet të bëjnë disa kilometra rrugë për të shkuar në shkollën e fshatit Turiçevc. Tahir Thaçi nga ky fshat tha për “Lajm” se dita e shtunë ka qenë dita më e lumtur për Burojën dhe banorët e saj. AI thotë se i duhet shumë kohë të flasë për personalitetin e Hashimit për shkak se është njeri me vizion. “Unë shpresoj se ai ka me punu mirë sepse e ka edhe një familje me traditë kombëtare”. Ndërkaq edhe të rinjtë e këtij fshati shpresojnë shumë se me ardhjen në qeverisje të PDK-së do të ketë një zhvillim më të mirë ekonomik e posaçërisht për Drenicën. Fatmir Kastrati një i ri që për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike i duhet të punojë në ndërtimtari shpreson se tash e tutje do të bëhet më mirë. “Ne së pari dëshirojmë të shpallet pavarësia e pastaj të ketë vende pune për ne”, thotë ai. Të njëjtën dëshirë e kanë edhe shumë të rinj tjerë. Zhvillim ekonomik dhe vende pune. Jo vetëm në vendlindjen e Thaçit ka atmosferë gëzimi. Edhe në vendet tjera të Drenicës ende jetojnë nën atmosferën e festës. Posterat e liderit të PDK-së shihen kudo madje edhe nëpër dritaret e shtëpive. Drenicakët shpresojnë në liderin e tyre, atij që i kanë besuar votën. Në dy komunat e rajonit të Drenicës, Drenas dhe Skënderaj, PDK-ja ka fituar bindshëm me përmbi 85 për qind.

 
 
 
Diese Webseite wurde kostenlos mit Homepage-Baukasten.de erstellt. Willst du auch eine eigene Webseite?
Gratis anmelden